Kosova gjendet para një sfide të re, të cilën duhet ta kalojë me urtësi dhe bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë

Hafiz Gagica

Kosova e ka ruajtur identitetin e vetë kombëtar ndër shekuj, ndonëse në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë është djeg dhe shkrumbue për ta ndihmue shpalljen e një gjysmë Shqipërie të pavarur me 1912, dhe gjithnjë i është gëzue shtet-bërjes së saj sa më të fuqishme, mbase kështu jemi edukue me breza të tërë në Kosovë, dhe ky përkushtim do të vazhdon edhe në të ardhëm.

Por, Kosova tani e ka identitetin e vet shtetëror, qëkur me 2 korrik 1990 e shpalli mëvetësinë e saj, ndërsa me 17 shkurt 2008 e ka zyrtarizue në Kuvend pavarësinë e saj, ku menjëherë pas këtij akti është njohur nga më shumë se 115 shtete ndërkombëtarisht, mbase me një stagnim të theksuar të njohjeve të mëtutjeshme.

Sot Kosova është para një sfide të re dhe një ballafaqimi me diçka që nuk e ka përjetue në të kaluarën, dhe kjo kryekëput për shkak të mungesës së një diplomacie të saj efikase, po përballet me vështirësi dhe trysni ndërkombëtare, por është një fakt i pakontestueshëm i cili do jetë i përjetshëm, se Kosova tani e ka identitetin e vet shtetëror dhe nuk ka forcë që mund t’ia kthej atë mbrapa, qoftë dhe me gabimet politike të momentit.

Institucionet e Republikës së Kosovës, mendoi se duhet urgjentisht të dalin nga ky rreth vicioz i takimeve koti si dhe i deklaratave boshe dhe të pafund, si dhe t’i përvishen punës që t’i rikthejnë konsultimet serioze me Tiranën, Washingtonin, Parisin, Londrën, Romën dhe Berlinin që të rikthehet fuqishëm aty ku e ka vendin si pjesë integrale e Evropës.

E drejta e shtetit ligjor dhe mbrojtja e tërësisë territoriale të Kosovës është legjitime dhe në këtë rrugë duhet kërkue përkrahjen e gjithë miqve tanë si dhe institucioneve relevante ndërkombëtare, në veçanti të Brukselit zyrtar.

Shqiptarët e Kosovës gjithnjë duhet të jenë mirënjohës vëllezërve nga Shqipëria për ndihmën që na e kanë dhënë në kohë të vështira, por me këtë rast e kam një lutje për kryeministrin Edvin Rama, pusho pak, ndale turrin dhe merru me hallet që ka Shqipëria duke fillue nga infrastruktura, ekonomia dhe problemet sociale, merru me mirëqenien e Shqipërisë dhe padyshim edhe me çështjen shqiptare, por pasi të jesh bërë shembull i një shteti të mirëfilltë demokratik me të cilin kombi ynë do ndihet krenar!

Shqipëria është piemont i kombit shqiptar, ndërsa qeveritarët dhe kryeministrat e saj vijnë e shkojnë, e ne akoma mbesim një komb i ndarë derisa të kemi politikanë që në radhë të parë kanë interesin e tyre personal bashkë me egon e sëmur dhe arrogancën politike!