Kosova i dërgon 60 mjekë për t’u vaksinuar në Kukës

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se rreth 60 profesionistë shëndetësorë nga Kosova kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër COVID-19, në Kukës.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, MSH-ja ka bërë me dije se lista është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, bazuar në shprehjen e gatishmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar në vaksinimin e një numri të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, kryesisht nga shërbimet e vijës së parë në luftën kundër COVID-19.

“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre.

Në ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë edhe në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Është e paqartë pse Shqipëria nuk ia dhuroi këto vaksina Kosovës, që ajo vetë të kryej vaksinimin, por mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor duhet të humbin një ditë pune për të shkuar në Kukës.