Kosova ka nevojë urgjente për shkolla dhe trajnime për kujdesin ndaj të moshuarve
Nga: MIK Sabedin Sherifi
Në Kosovë, numri i personave të moshuar po rritet nga viti në vit, ndërsa kujdesi ndaj tyre mbetet një nga hallkat më të dobëta të sistemit shëndetësor dhe social.
Shoqëria kosovare, e ndërtuar për dekada mbi strukturën tradicionale familjare, po përballet sot me një realitet të ri: gjithnjë e më shumë të moshuar po jetojnë vetëm, pa përkujdesje të mjaftueshme dhe pa mbështetje institucionale.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 11 për qind e popullsisë është mbi moshën 65 vjeç, ndërsa ky numër pritet të rritet ndjeshëm në dekadën e ardhshme.
Një studim i publikuar në “BMC Geriatrics” tregon se 83 për qind e të moshuarve në Kosovë vuajnë nga të paktën një sëmundje kronike, ndërsa gati gjysma kanë dy ose më shumë diagnoza të tilla. Kjo e bën kujdesin geriatrik një domosdoshmëri, e jo më një luks.
Megjithatë, vendi ynë ka shumë pak kapacitete për t’u përballur me këtë sfidë. Të gjitha shtëpitë publike për të moshuarit në Kosovë mund të strehojnë më pak se 0.001 për qind të kësaj grupmoshe.
Ndërkohë, shumë komuna ende nuk ofrojnë shërbime të kujdesit në shtëpi apo vizita mjekësore geriatrike, përveç disa nismave të izoluara, si ajo e komunës së Prizrenit që së fundi ka nisur shërbimin e vizitave në shtëpi për të moshuarit.
Në këtë situatë, krijimi i shkollave dhe programeve të trajnimit në kujdesin ndaj të moshuarve del si nevojë kombëtare. Një sistem arsimor që formon profesionistë të specializuar në fushën e geriatrinë – mjekë, infermierë, kujdestarë dhe punonjës socialë – do të mund të plotësonte një boshllëk të madh në sistemin aktual.
Një program i tillë duhet të përfshijë jo vetëm aspektet mjekësore të plakjes, por edhe ato sociale e psikologjike: si të trajtohen sëmundjet kronike, si të ndihmohet një i moshuar me humbje të vetëkujdesit, si të parandalohet izolimi social apo depresioni, si dhe si të menaxhohen institucionet e kujdesit afatgjatë.
Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se kujdesi për të moshuarit kërkon njohuri specifike dhe qasje të ndërdisiplinuar.
“Kujdesi geriatrik nuk është vetëm mjekësi – është përkushtim, empati dhe njohje e thellë e nevojave fizike e emocionale të njeriut në moshë të shtyrë,” theksojnë profesionistët e fushës së infermierisë.
Nga ana tjetër, krijimi i këtyre shkollave nuk do të ishte vetëm zgjidhje për mungesën e kujdesit, por edhe një mundësi për zhvillim profesional dhe punësim, sidomos për të rinjtë që kërkojnë të punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit social.
Me rritjen e kërkesës për profesionistë të tillë edhe jashtë vendit, përgatitja e kuadrove në këtë fushë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik.
Në fund, kujdesi për të moshuarit është një pasqyrë e nivelit të humanitetit të një shoqërie.
Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të krijuar institute, shkolla profesionale dhe programe universitare në fushën e geriatrinë, në mënyrë që pleqëria në këtë vend të mos jetë sinonim i vetmisë dhe mungesës së kujdesit, por i dinjitetit dhe respektit.

