Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë

Të ardhurat e kosovarëve pritet të ulen me 287 dollarë për kokë banori, ose me gati 6,5% në krahasim me vitin e kaluar, bëhet e ditur nga tabelat e përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen ndër shtetet më të varfra të Evropës, (pa përfshirë shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik).

Nga 192 shtete, Shqipëria është e 98-a në listë, ndërsa Kosova e 108-a (4.428 USD për frymë për 2020), sipas vlerësimeve të FMN-së.

Të ardhurat më të larta për frymë në rajon i ka Mali i Zi, në vendin e 77 në botë (8,825), pothuajse sa dyfishi i trojeve shqipfolëse. Më pas renditet Serbia, e 80-a (7,382USD), Maqedonia e Veriut e 90-a (6,018), Bosnjë Hercegovina e 92-a (6,015 USD).

Në rajon, shteti që ka qenë më rezistues ndaj krizës së COVID-19 është Serbia.

Fondi, në Pasqyrën e fundit Ekonomike të Tetorit, vlerëson se tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7,5% secila).