Kosova me 1.8 milion banorë, 18 viktima në ditë

Kosova me një popull të padisiplinuar dhe të papërgjegjshëm në aspektin e mbrojtjes nga virusi Covid dhe me një aftësi të kufizuar për ta kuptuar rrezikun nga pandemia që ka futur në luftë një botë të tërë, gjendet në një gjendje të mjerueshme.

Nga varianti Delta ka më shumë gjasa të gjendemi në spitale të cilat edhe ashtu janë të stërmbushura. Janë të shumtë ata të cilëve numri i vdekjeve ditore, nuk iu bënë përshtypje pothuajse fare!

Ngushëllohen «se k’shtu ka qenë e shkuar»! Për ata, këto vdekje janë vetëm numra! Të tillët, duhet të privohen nga liria e lëvizjes. Nuk ka mjete komunikimi me ata që e dinë se janë të infektuar dhe dalin shetisin sikur delet, mriz më mriz!

Variantet e mëparshme ishin më «të lehta» kurse varianti Delta të gjithë tani po e dimë se është më ngjitës dhe më i rrezikshëm për njerëzit e pavaksinuar.

Vaksinat i kemi sot, por ato ne nuk i marrim, sepse bota që vaksinohet nuk është e mençur sa ne shqiptarët.

Ne duam që fajet t’i bartë qeveria e Kosovës, jo vetëm për përhapjen e variantit Delta, por edhe për bërllogun që ne e hedhim nga dritarja e veturës në rrugë. Ajo i ka fajet pse ne s’duam t’i lajmë duart shumë herë në ditë. Ajo i ka fajet pse neve nuk na pihet kafja në shtëpi me familje por dalim «si tufa delesh» nëpër restorante e aty «pshymavemi» nga tri orë me njëri-tjetrin me një makiato mbi tavolinë.

Për shoqëritë e civilizuara, vështirësia më e madhe për qeverinë është marrja e masave të nevojshme në kohën e duhur.
Nëse nga qeveria merren masa shumë herët, do të kritikohen dhe nëse ato masa vijnë shumë vonë, efektet do të jenë tejet të dëmshme.

Në këtë periudhë që po kalon Kosova, qeveria e saj veçmas kur e dinë se ka një popull të papërgjegjshëm, prej 1.8 milion banorë, duhet të veproj e të marrë masa shumë më të rrepta.

Në Australi, për një rast me Covid mbyllet një qytet milionësh për 10 ditë e më shumë. Këtë formë të luftimit të pandemisë kanë zgjedhur ata krahas vaksinimit.

Qeveria e Kosovës, duke pasur parasysh se populli i saj nuk e kupton gjuhën e komunikimit me fjalë, gjuhën e lutjeve për të shpëtuar jetë, duhet të vë në veprim gjuhën e veprimeve radikale në territorin e shtetit.

Askush nuk do të vdes nga uria po që se një muaj mbyllen të gjitha vendet publike jo të domosdoshme për jetë.
Por duhet ta dijmë se për një muaj nga varianti Delta mund të humbim mijëra jetë.

Për një popullatë të padisiplinuar, të papërgjegjshme e me aftësi të kufizuara në kuptimin e rrezikut nga pandemia, qeveria e Kosovës duhet të ndjehet e obliguar që të merrë masa për mbylljen e qytetarëve të saj nëpër shtëpitë e tyre.

Nuk luten me fjalë të buta njërëzit që nuk ia dijnë vlerën jetës!/MLH