Kosova mund të mbyllet sërish, Zemaj paralajmëron masa të reja

Rritja e numrit të personave të infektuar në Kosovë ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të paralajmërojë masa të reja në të gjithë vendin dhe në veçanti në Prishtinë.

Zemaj ka thënë se vendimet do të merren shumë shpejt, ndërkohë që sot do të mbahet një takim me institucionet e përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Njoftimi i plotë i ministrit Zemaj:

Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por për Prishtinën në veçanti.

Mbi 700 raste të reja me infeksion gjatë 14  ditëve të fundit, në kryeqytet, situatë kjo që kërkon mobilizim maksimal të të gjithëve për të zbatuar në përpikëri dhe me rigorozitet  vendimet e Qeverisë.

Nga kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, kërkova që bashkë me shtabet emergjente dhe task forcën, të kenë vëmendje të shtuar në shkolla, transportin publik, gastronomi dhe kudo që shfaqet rreziku nga virusi covid 19.

Kërkova të zbatohen rreptësishtë rekomandimet si mbajtja e distancës fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, për të pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit në hapësirat e mbyllura.

Prishtina është kryeqytet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, por assesi nuk mund të lejojmë të jetë vatër e infeksionit.