Kosova në ‘zonë të kuqe’ sa i përket krizës së shëndetit mendor
Vana Jerliu Ramadani
Para disa ditësh kam shprehur dëshpërimin tim që në fushatën për zgjedhjet lokale nuk po diskutohet shëndeti mendor. Anashkalimi i këtij problemi në një shoqëri si Kosova, është një shqetësim i madh për mua si profesioniste e shëndetit mendor.
Sot, rastësisht lexova në mediat kosovare se brenda një periudhe kohore prej shtatë muajve kanë ndodhur 30 vetëvrasje si dhe 100 tentim- vetëvrasje.
Këto shifra, saktësisht tregojnë se jemi në ‘zonë të kuqe rreziku’ dhe kemi nevojë për të marrë masa urgjente që të përmirësojmë shërbimet në shëndetin mendor.
Nëse qeveria e Kosovës nuk merr masa urgjente për të rritur kapacitetet e shërbimeve të shëndetit mendor, dyshoj se ky numër mund të rritet edhe më shumë, duke pas parasysh se gjendja e tashme e shërbimeve nuk është në nivel të duhur.
Qeveria e Kosovës duhet të ulet me ekspertët e shëndetit mendor dhe të këshillohet se si ka mundësi të ndihmohet sektori i shëndetit mendor.
Disa shkaqe mund të çojnë në vetëvrasje, por vetëvrasja më së shpeshti mund të ndodh kur stresuesit dhe problemet shëndetësore mendore të pa trajtuara shkaktojnë dëshpërim të madh te individët.
Shëndeti mendor kërkon trajtim dhe mund të menaxhohet shumë mirë, duke siguruar jetë normale për personat që kanë probleme shëndetësore mendore, nëse ata kërkojnë ndihmë dhe trajtohen me kohë.
…………………….
(Autorja është Magjistër e Shëndetit Mendor në SHBA)

