Kosova përfiton 1.7 milion euro nga qeveria gjermane

Qeveria e Kosovës ka siguruar 1.7 milion euro, të dhuruara nga Qeveria e Republikës Federale e Gjermanisë, si asistencë teknike për afat kohor 2 vjeçar, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky përfitim erdhi në kuadër të një marrëveshjes për implementimin e Projekteve të Bashkëpunimit Teknik.

Marrëveshja është nënshkruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i GIZ-it për Kosovë, David Oberhuber dhe Udhëheqësi i Projektit për Energji i GIZ-it, Avni Sfishta.

Objektivi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i kornizës ligjore dhe teknike për implementimin e kërkesave të Komunitetit Evropian të Energjisë, të ndërlidhura me energji dhe klimë.

Ndër të tjera, GIZ do t’i ofrojë Ministrisë së Ekonomisë edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, staf mbështetës, mbulim të shpenzimeve administrative, si dhe trajnime të ekspertëve për implementim të projektit.

Ky projekt, përpos dobisë financiare, ka rëndësi thelbësore për programin qeverisës të Ministrisë së Ekonomisë, e cila fokus primar e ka tranzicionin e drejtë dhe të qëndrueshëm energjetik, duke e marrë parasysh edhe përballueshmërinë financiare.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje e forcon më tutje bashkëpunimin zhvillimor mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit afatgjatë mes Kosovës dhe Gjermanisë, ku gjatë 22 viteve Kosova ka përfituar 660 milionë euro.