Kosova përfiton mbi 39 milionë euro grante për shëndetësi dhe edukim
Kosova ka përfituar 37.2 milionë euro dhe 2 milionë dollarë grant për avancimin e shërbimeve shëndetësore publike dhe atyre të edukimit të hershëm
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci nënshkruan sot tri marrëveshje me një vlerë totale prej 37.2 milionë euro dhe 2 milionë dollarë grant për forcimin e sistemit të shëndetësisë si dhe shërbimeve të edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme.
Ministri Arben Vitia tha se përmes projektit “Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë” adresohen prioritetet kryesore shëndetësore, siç janë dixhitalizimi shëndetësor, zhvillimi i blerjeve për shëndetësi si dhe menaxhimi i mbetjeve mjekësore.
Ndërkaq ministrja Arbërie Nagavci tha se projekti për edukimin e hershëm u mundëson të gjithë fëmijëve mundësi të barabarta duke u ofruar qasje në arsim cilësor dhe edukim të hershëm.
Kurse drejtori Paolucci ritheksoi vullnetin e Bankës Botërore që përmes bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, të mbështetet popullsia më e cenueshme në Kosovë.

