Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij
Reporterët pa Kufij, një organizatë e njohur ndërkombëtare, kanë publikuar indeksin e tyre vjetor, në të cilin Kosova nuk ka performuar mirë. Në këtë indeks, Kosova ka pësuar rënie alarmante prej 19 vendeve. Përderisa në vitin 2023, Kosova renditej e 56 në botë, në vitin 2024, shteti kosovar renditet në vendin e 75, duke mbledhur gjithsejt 60.19 pikë, 8 më pak se motin e kaluar.

“Përderisa tregu mediatik i Kosovës është i larmishëm, zhvillimi i tij është i kufizuar nga përmasat e vogla dhe ndarjet etnike. Liria e medias është e kërcënuar nga rregullimi i politizuar, kostumet për gafa, aksesi i pamjaftueshëm në informacion dhe rritja e sulmeve fizike” – theksohet që në hyrje.
Në këtë raport janë përmendur kërcënimet nga Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqet nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Këto dy kërcënime ndërlidhen me masat administrative ndaj Klan Kosovës dhe vendosjen e Rilind Gërvallës, një aleat i afërt i VV-së, në pozitën e drejtorit në RTK.
“Edhe pse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet” – thuhet në raport.
Tutje, në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij, janë përmendur edhe sulmet fizike, të cilat janë shtuat posaçërisht në kohën e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, në lidhje me sigurinë e gazetarëve, është përmendur si pikë negative edhe shtimi i padive SLAPP ndaj gazetarëve.
“Edhe pse gazetarët kanë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh cak i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në medie sociale. Ata akuzohen në mënyrë të padrejtë se janë ‘bashkëpunëtorë të armikut’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare” – vlerësohet në raport.
“Por gjithnjë e më shumë gazetarë u janë nënshtruar SLAPP-ve të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë. Në praktikë, ligji për të drejtën e autorit nuk respektohet dhe aksesi në informacion kërcënohet nga një projekt-ligj drakonian për rregullimin e medias dhe nga procedurat e nisura kundër një operatori telekomunikacioni” – theksohet tutje në raport.
Për këtë temë ka reaguart edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e cila ka vlerësuar këtë regres në rënditje si alarmant.
“Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij
Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF, Reporterët Pa Kufij e rendit Kosovën në vendin e 75 në botë, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56.
Organizata më e madhe botërore për lirinë e medies, jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në vendin tonë” – tha AGK-ja në komunikatën e tyre.

