Kosova sot sërish drejt kutive të votimit

Rreth 2 milionë shtetas të Kosovës, me të drejtë vote, sot pritet t’u drejtohen kutive për të zgjedhur përbërjen e Kuvendit.

Qytetarët e Kosovës do të votojnë për herë të dytë brenda këtij viti për përbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor është paraparë të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë gjithçka është gati për zgjedhje.

Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00, kur pritet të përfundojë procesi i votimit në mbarë vendin.