Kosovari akuzohet për lëndimin e një nëne dhe vajzën e saj 4-vjeçe në Zvicër
Prokuroria publike në Zvicër ka ngritur padi kundër shoferit 22-vjeçar të BMW-së, me shtetësi kosovare, për një aksident trafiku, ku kanë pësuar lëndime një grua dhe vajza e saj 4-vjece.
Prokurorja e lëndës ka kërkuar dënim me katër vjet burg dhe 7 vjet dëbim nga vendi ndaj shoferit të atëhershëm 20-vjeçar. Ai nuk e ka pranuar veprën.
Zyra e prokurorit publik akuzon Ardian C. se, në fillim të tetorit të vitit 2019 kishte përshpejtuar ndjeshëm makinën, me “asistentin” e sigurisë të çaktivizuar më par, shkruan polizeiticker.ch.
Më pas ka shpërthyer pjesa e pasme e automjetit i cili pas kësaj ka rrëshqitur në mënyrë të pakontrolluar në të tri korsitë e rrugës.
Në fund BMW-ja ishte përplasur “kokë më kokë” me një makinë që po afrohej. Një nënë me vajzën e saj 4-vjeçare që ishin në atë makinë patën marrë lëndime me rrezik për jetën, transmeton albinfo.ch. Edhe sot – dy vjet pas aksidentit – nëna dhe vajza kanë robleme të konsiderueshme shëndetësore.
Krahas lëndimeve të shumta të rënda trupore dhe shkeljes së rëndë të cilësuar të rregullave të qarkullimit rrugor, prokuroria publike e akuzon 22 vjeçarin edhe për mosdhënie të ndihmës emergjente ndaj dy viktimave si dhe për shkelje të detyrës në rast aksidenti.
Menjëherë pas aksidentit, shkaktari i tij kishte thënë se nuk ishte e vërtetë se kishte vozitur shumë shpejt. Thjesht për të “nuk ishte e qartë” se si ishte aktivizuar vetvetiu lëvizja e rrotave të pasme. “Rruga kishte lagështi. Pastaj papritur ka shpërthyer pjesa e prapme e makinës.”
Por, prokurorja publike e sheh ndryshe rrjedhën e ngjarjes. (foto arkiv)

