Në shkurt të vitit 2020 policia kishte shkuar në një kantier ndërtimi në kantonin Schwyz.

Një nga punëtorët e ndërtimit u thotë policëve se teli po zhdukej vazhdimisht kohët e fundit, transmeton albinfo.ch.

Të paktën kështu shkruan prokuroria publike e Zugut në një aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën penale të Zugut në qershor të vitit 2022, shkruan zentraplplus.ch.

Javën e kaluar Gjykata Penale e Zugut ka publikuar vendimin e saj për këtë çështje.

Një vit burg me kusht

Këtu thuhet: fajtor për vjedhje komerciale dhe të lidhura me bandë. Gjykata e ka dënuar të akuzuarin me një vit burg me kusht.

Në të njëjtën kohë, gjykata ka shqiptuar vendimin për dëbim të kosovarit nga vendi për pesë vjet.

Gjykata e ka konstatuar si të përmbushur faktin që 36-vjeçari dhe një bashkëpunëtor kanë vjedhur tela në disa kantiere ndërtimi në kantonet Zug dhe Schwyz.

Vendimi prej 66 faqesh rendit shtatë akte të përfunduara dhe një tentativë. Vjedhjet kanë ndodhur ndërmjet nëntorit të vitit 2019 dhe majit 2020.

Dyshja e hajdutëve vazhdonte gjithmonë në të njëjtën mënyrë: kur kantieri ishte bosh, të dy fitonin qasje, kërkonin telat dhe ngarkonin aq sa kishte hapësirë ​​në makinë.

Ata kanë prerë disa drynë, gjë që në fund ishte solli zbulimin e të akuzuarit: hetuesit kanë gjetur ADN-në e tij në një prerës bulonash që u gjet në një nga skenat e deliktit.

Gjatë procesit, ai ka pranuar veprën, pjesërisht. Megjithatë, ai kishte pranuar se vetëm dy herë kishte hyrë në kantieret e ndërtimit.

Gjykata ishte në gjendje të provonte se ai kishte kryer shtatë vjedhje (dhe një tentativë).

Prokuroria publike e Zugut kishte akuzuar edhe të tjerë, por në disa raste gjykata nuk i konsideroi këto të vërtetuara, pasi akuzat ndonjëherë bazoheshin vetëm në shënimet në raportet e policisë.

Gjithashtu, gjykata ka korrigjuar shumat që figuronin në aktakuzë, duke i zvogëluar ato në disa raste në mënyrë të konsiderueshme.

Për shembull, nëse në një rast flitej për 50 thasë të vjedhur, gjykata ka kosntatuar se fjala ka qenë për vetëm dhjetë thasë. Kjo korrespondonte me rrëfimin e të akuzuarit.

Sipas aktgjykimit, prokuroria publike nuk ka arritur të vërtetojë se janë vjedhur 50 thasë.

Në total, dëmi ka arritur në rreth 4500 franga, gjysmën e të cilit e ka marrë 36-vjeçari. Kjo bën që të ardhurat mujore të krimit janë rreth 370 franga. Dhe kjo nga ana tjetër është një “kontribut i rëndësishëm” në financimin e kostos së jetesës.

Prandaj, gjykata thotë se ai ka vjedhur në mënyrë “komerciale” që sjell dëbimin nga vendi.