Kosovë-Izrael pa vizat, sot nënshkruhet marrëveshja

Sot pritet të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave nga Izraeli për shtetasit e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga ambasada izraelite në Prishtinë.

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”, thuhet në njoftim.

Më 29 janar të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës.

Ky vendim i Izraelit i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, thuhej se do të hynte në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.