Kosovës i dhurohen pajisje për mbrojtjen e pyjeve nga sëpatat e sharrat
Për të mbështetur luftimin e prerjeve ilegale në Kosovë, programi i pylltarisë i FAO-s, i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Suedia, i dorëzoi Agjencisë Pyjore të Kosovës pajisje të ndryshme terreni.
Gjashtë automjete pick-up me kamera dhe pajisje GPS të integruara për inspektime në pyje, pajisje GPS për mbledhjen e të dhënave në terren, kamera kurth dhe dylbi nate për zbulimin e aktiviteteve të paligjshme pyjore iu dorëzuan Agjencisë në një ceremoni të organizuar në vendgjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja”.
Në fjalimin e tij në këtë ceremoni, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e Suedisë në Prishtinë dhe FAO-n për mbështetjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës në adresimin e mangësive në kapacitetet njerëzore dhe teknike për luftimin e aktiviteteve ilegale në pyje.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, përsëriti se mbrojtja e mjedisit, duke përfshirë menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore, duhet të jetë prioritet më i lartë i Qeverisë.
Zëvendësshefi i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, gjithashtu u bëri thirrje të gjithë partnerëve që të organizohen dhe të mobilizohen, për të marrë përsipër përgjegjësitë dhe për t’u angazhuar plotësisht për mbrojtjen dhe shfrytëzimin më të mirë të pyjeve në mënyrë të qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.
Programi “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Suedia, po i ndihmon autoritetet në Kosovë që të qeverisin më mirë dhe të sigurojnë shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve.
Në veçanti, programi do të adresojë mungesat në kapacitetet njerëzore dhe teknike në Agjencinë Pyjore të Kosovës për të luftuar prerjet ilegale dhe veprimtaritë e parregullta në pyje.
Udhëheqësi i ekipit vendor të FAO-s për Programin e Pylltarisë, Naser Krasniqi, theksoi se programi është në proces të identifikimit të kontigjentit të radhës të pajisjeve që do të përdoren për zbulimin dhe luftimin e prerjeve, transportit dhe tregtimit ilegal në pylltari, si dhe të zjarreve pyjore.
Pas dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve, programi për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve do të organizojë aktivitete të ngritjes së kapaciteteve të personelit të Agjencisë Pyjore të Kosovës për përdorimin e duhur të këtyre pajisjeve.

