KQZ cakton 21 prillin si datë për votimet për largimin e kryetarëve në veri
Komisioni Qendror Zgjedhor ka caktuar 21 prillin si datë për votimet për largim të kryetarëve në komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, raporton Express.
Rekomandimi erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
Kryetarët aktualë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.
Procesi i votimit për largimin nga detyra të një kryetari komune, është shpjeguar në udhëzim administrativ të MAPL. Votimi për këtë çështje duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.
Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

