Krasniqi: Qeveria Kurti, më e dobëta dhe paafta në Kosovën e pavarur
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti është më e dobëta dhe paafta në Kosovë. Sipas tij, nën qeverisjen e Albin Kurtit ka degraduar arsimi, shëndetësia dhe ka stagnuar zhvillimi ekonomik.
Lideri opozitar në një intervistë për KosovaPress kritikon Kurtin që nuk ka hartuar një draft-statut të asociacionit, derisa i kërkon të merr një vendim për draftin e propozuar nga euro-amerikanët, të cilin e quan jashtëzakonisht të dëmshëm për Kosovën.
“Qeveria e Albin Kurtit do të mbahet mend si qeveria më e dobët në Kosovën e pavarur, si qeveria më e paaftë, si qeveria më jo efikase në cilëndo prej fushave. Në asnjë fushë ne nuk jemi më mirë sesa kemi qenë para tri apo pesë vjetësh. Arsimi ka degraduar, rezultatet e PISA tregojnë për një rënie më të madhe në cilësinë e mësim-nxënies. Shëndetësia është në kolaps, sot as spitalet më të rëndësishme nuk kanë mjetet elementare, derisa listat e pritjes edhe në ato klinika ku nuk ka pasur janë shkuar në disa muaj. Ekonomia jonë ka stagnuar, rritja 3.5 për qind është më e vogël sesa rritja në vitet e para të pavarësisë. Emigrimi ka marrë përmasa shqetësuese, vise të Kosovës, veçanërisht rurale që pothuajse janë shpopulluar totalisht. Kemi një diplomaci në vdekje klinike, ku nuk kanë arritur jo vetëm të marrin në njohje të re, por e kanë humbur edhe mbështetjen dhe respektin nga shtetet më mike të Kosovës. Është kjo qeveri që ka sjellë sanksione nga Bashkimi Evropian”, tha Krasniqi.

