Krenare Latifi – Kqiku zgjidhet kryesuese e Kuvendit të Komunës së Gjilanit

Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka zgjedhur sot Krenare Latifi-Kqikun (LVV) për kryesuese të këtij institucioni vendimmarrës për katër vitet e ardhshme.

Latifi-Kqiku ka marrë 18 vota për, të cilat kanë qenë të mjaftueshme për zgjedhjen e saj, duke qenë se Kuvendi i Komunës përbëhet prej 35 anëtarëve.

Me të marr pozitën, kryesuesja e re Kuvendit, ka thënë se ky besim për të nënkupton obligim për punë të ndershme, transparente dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Gjilanit.

“Vendimmarrja e Kuvendit duhet gjithmonë të mbështetet në dialog, respekt të ndërsjellë dhe interes publik. Si kryesuese, do të angazhohem që Kuvendi të funksionojë me rregull, korrektësi dhe në barazi për të gjithë anëtarët, pa dallime politike apo dallime të tjera, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë Latifi-Kqiku.