Kreu i Këshillit Gjyqësor: Nëse na ulin pagat, Ligjin e dërgojmë në Kushtetuese
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, shprehet se në rast se me Ligjin për Paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët, do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë Ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Krahas këtyre veprimeve për këtë Ligj, Zogaj ndër të tjerash flet edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, mospajtimet me ekzekutivin por edhe punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.
Kreu i KGJK-së thotë se vazhdimisht ka pasur përpjekje për t’i ulur pagat e gjyqtarëve.
“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve. KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve, ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK”, thekson Zogaj për KosovaPress.

