KRU Prishtina tregon se kur do të pastrohet uji nga liqeni i Badovcit
Pas njoftimit të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës se nga analizat fiziko-kimike ka dalë se uji nga liqeni i Badovcit ka vlera të rritura të manganit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka ulur prodhimin e ujit në 35% më pak, në mënyrë për të ruajtur kualitetin e ujti të pijshëm.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku konfirmoi se cilësia e ujit për momentin nuk është në gjendje të pastër për pije, pasi që gjatë monitorimit të ujit është vërejtur një sasi e manganit dhe menjëherë është ndërmarrë për zvogëlim të prodhimit të ujit.
Mjeku thotë se qytetarët që furnizohen nga liqeni i Badovcit do të furnizohen me reduktime, por që rekomandohet që ai ujë të mos përdoret për pije.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU), respektivisht Departamenti i Ujit të pijshëm zakonisht e monitorojnë cilësinë e ujit të pijshëm edhe në ujin e pa trajtuar edhe në ujin e trajtuar, andaj gjatë këtij procesi të monitorimit nga të dyja palët kemi vërë re ngritje sasi të manganit të liqenit prej nga furnizohet 25% e qytetit të Prishtinës dhe 105 fshatra, Graçanica dhe Hajvalia. Në moment kur e kemi pranuar këtë informatë dhe me kërkesë të Departamentit të cilësisë së ujit, e kemi zvogëluar prodhimin e ujit nga 480 litra në sekondë, në 180 litra në sekondë ose rreth 35 %, në mënyrë që të ruajmë kualitetin e ujit të pijshëm.
Pra, qytetarët që furnizohen nga sistemi i Badovcit tash kanë reduktime, marrin ujë sadopak, por duhet bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Kosovës që ky ujë të mos konsumohet për pije, të mos e përdorin për gatim, por ta vlojnë së paku edhe pse nuk është një gjendje alarmante siç e shohin ekspertët nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, sepse nuk është një ngritje e lartë e manganit. Analizat jemi duke i marrë. Në moment që shohim që ka rënie të sasie të manganit në liqenin e Badovcit, ne e lëshojmë në prodhim”, tha Mjeku.
Mjeku shtoi se situata aktuale nuk është alarmante dhe nuk do të zgjasë shumë, ndërsa për momentin qytetarët po furnizohen me autobot deri në zgjidhjen e këtij problemi.
“Besojmë që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, por pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur sasia e manganit. Këtu ndodhet miniera e Kishnicës. Mangani është rritur për shkak se është një dukuri natyrore, kur netët janë të ftohta. Kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera. Mënyra e vetme është furnizimi me autobot deri në qetësimin e situatës rreth furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Mjeku për KP.
Ndryshe, IKSHPK ka lajmëruar zonat të cilat janë të furnizuara me ujë me mangan e për të cilat rekomandon që uji të mos përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës.

