Kryeministri austriak dekoron me medalje ari dy policët që eliminuan sulmuesin e Vjenës

Kryeministri austrisak Sebastian Kurz i ka dekoruar me Medalje Ari të Meritave dy policët që eliminuan sulmuesin e Vjenës.

“Me veprimet e tyre të guximshme dhe me përkushtim me jetën e tyre, këta dy zyrtarë policorë e eliminuan vrasësin gjatë sulmit të së hënës, duke e prandaluar më të keqen”, shkroi shefi i qeverisë austriake në Facebook.

Ai njoftoi se medaljet policëve ua ka ndarë dje (të enjten) dhe policët e dekoruar janë pjesëtarë të forcave speciale “WEGA”.

“Dje, i falënderova dy zyrtatët e WEGA-s për tërë forcat emergjente dhe i shpërbleva ata me Shenjën e Artë të Meritave të Republikës së Austrisë”, shkroi kryeministri Kurz.

Në fotografinë e publikuar në llogarinë e kryeministrit, dy policët e dekoruar janë me maska dhe nuk mund të identifikohen. As vetë kryeministri nuk i ka publikuar emrat e tyre, por më herët ishte raportuar se në këtë aksion kishin marrë pjesë edhe policë me origjinë shqiptare.

Gjatë sulmit në Vjenë, katër persona u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën. Sulmuesi, me prejardhje shqiptare nga Maqedonia Veriore u vra nga policia.