Kryesuesi i ZRRE-së e konsideron të kryer shtrenjtimin e rrymës
Gjatë një takimi të bizneseve sot, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Zejnullahu ka konsideruar të kryer shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15% që nga 1 prilli.
Ai iu tha gazetarëve se në këtë mënyrë “reflektohet” një pjesë e importit të energjisë elektrike që tha se është bërë vitin e kaluar, por edhe “nevojat për vitin e ardhshëm”, raporton express.
“ZRRE ka parë një raport. Ai është një vlerësim profesional i stafit të ZRRE-së që shihet mesatarisht – ajo bile thotë që tarifa është mesatare. Mund të ketë kategori të tjera të konsumatorëve që të kenë barrën më të mëdha të kësaj… Kjo është nevoja për të reflektuar një pjesë të importit që është importuar në vitin e kaluar dhe nevojat për vitin e ardhshëm. Kryesisht, dy kompetente kryesore janë: çmimet e importit dhe kostot e rezervave. Ndoshta disa e kanë keqkuptuar se çka janë shërbimet ndihmëse. Shërbime ndihmëse janë ai gjeneratori që qëndron në gatishmëri për të na furnizuar kurdo që Kosova B ose Kosova A del nga sistemi, me e zëvendësu atë energji, dhe ajo është kosto e shërbimeve ndihmëse, që është rreth mbi 40 milionë euro, vetëm për arsye që mos të kemi ndërprerje kurdo që të del jashtë sistemit”, tha ai.
Tutje, ai ka shtuar se “shpreson” që të ketë çmime më të favorshme të rrymës gjatë viteve të ardhshme.
“Prandaj mos e konsideroni që ZRRE-ja po ka dëshirë me i rritë çmimet e energjisë elektrike, por këto janë mundësitë në treg. Shpresojmë që të kemi çmime më të favorshme në vitet e ardhshme, dhe shpresojmë që të kemi kapacitete gjeneruese vendore, e të mos kemi nevojë ta importojmë atë sasi të energjisë dhe shpresojmë që këto biznese që janë bashkërisht me neve do të shikojnë mundësi për të investuar në kapacitete shtesë që do të na ndihmojnë, edhe këto vetë si biznese, por edhe neve si qytetarë, që të kemi çmime sa më të favorshme për konsumatorin tonë”, tha ai.

