Kryetarët e komunave kërkojnë heqjen e orës policore dhe hapjen e gastronomisë

Shumica e Komunave kanë qenë kundër masave shtrënguese në gastronomi, por qeveria nuk i mori paraysh ato dhe vedosi edhe ‘orë policore’ shkaku i rritjes së shifrave të të infektuarve me Covid 19.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur sot takim online lidhur me situatën e tashme pandemike dhe ka diskutuar për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Imri Ahmeti tha se ka munguar komunikimi i mirëfilltë para këtyre masave mes nivelit qendror dhe lokal, ndërsa në diskutim kanë marrë pjesë Ardian Gjini (Gjakovë), Xhafer Gashi (Obiliq), Ramiz Lladrovci (Drenas), Naim Ismajli (Shtime), Xhafer Tahiri (Vushtrri), Bali Muharremaj (Suharekë), Zenun Elelzaj (Klinë), Arber Ismajli (Gjilan), Marigona Lahu (Podujevë), Memnuna Ajdini (Prizren).

Në fund kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike.

Rekomandimet e Komunave:

1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.

2. Heqja e orës policore.

3. Tërheqja e masave ndaj gastronomisë. Gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.

4. Amandamentimi i Ligjit mbi pandeminë.

5. Zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe të fillohet me një pako të re përkrahëse.

6. Bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.

7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.