Kryetari Hyseni i siguron QKMF-së në Gjilan aparatin e momagrafisë

Gjilani shumë shpejt do ta ketë aparatin e përhershëm të mamografisë, një pajisje kjo mjekësore shumë e nevojshme për shëndetin e grave, e cila shërben për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka nënshkruar sot marrëveshje me Organizatën Islamic Relief Kosova për sigurimin e aparatit të mamografisë.

‘Sot kemi arritur memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Organizatës Islamic Relief Kosova dhe së shpejti do të sjellim aparaturën e mamografisë. Këtë shërbim, banorët e Gjilanit do të kenë mundësinë ta kryejnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ne u dakorduam që bashkëpunime të këtilla të rëndësishme për komunitetin të ketë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryetari Hyseni.

Kanceri i gjirit është një sëmundje tinëzare që prek mijëra gra në botë gjatë një viti dhe jo të gjitha ia dalin ta mposhtin atë, sidomos kur zbulimi bëhet me vonesë. Prandaj zbulimi i hershëm është shumë i rëndësishëm, sepse gjasat për t`u kuruar janë shumë të mëdha në këtë fazë.