Kryetari i Gjilanit stërvitjet ushtarake serbe afër kufirit i cilëson shqetësuese dhe provokuese
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar ndaj stërvitjeve ushtarake serbe që sipas tij janë realizuar përreth brezit kufitar Kosovë-Serbi, përkatësish në fshatrat shqiptare Breznicë, Muhoc e të tjera (afër Karaçevës).
Sipas komunikatës, kryetari Hyseni ka theksuar se stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët e zonës.
“Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve” – citohet të ketë thënë Alban Hyseni.
Kryetari Hyseni ka kërkuar nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre” – ka shtuar Hyseni.

