Kryetari i kësaj komune pritet të kalojë në LDK
Xhafer Gashi, bashkë me anëtarësinë e Iniciativës Qytetare për Obiliqin, do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mësuar Paparaci.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, pritet të udhëheq me Lidhjen Demokratike në këtë komunë, ka mësuar mediumi online Paparaci nga burime të mirëinformuara afër LDK-së.
Për t’i hapur rrugë lëvizjes së Gashit, Dega e LDK-së në Obiliq ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, bazuar në një vendim të nxjerrë nga Komisioni Koordinues për Zgjedhje të Parakohshme, Dega në Obiliq.
Paparaci, ka siguruar vendimin e partisë për emërimin e komisionit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Komisioni Koordinues është udhëzuar për pushimin e detyrave të kryetarit aktual dhe Kryesisë së Degës, thuhet në dokument.
“Komisioni do të zhvillojë dhe do të koordinojë procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Degën e LDK-së në Obiliq; Komisioni është përgjegjës për aprovimin e platformës zgjedhore në degën e LDK-së në Obiliq dhe i njëjti për punën e vet i përgjigjet Komisionit Koordinues për zgjedhje i emëruar nga kryesia e LDK-së”, thuhet në vendim.
Gashi e ka mohuar marrëveshjen për kalimin e tij dhe njerëzve të tij në LDK.

