Kryetari i Obiliqit thotë se përkrahja është dyfishuar pasi doli prej AAK-së
Me Iniciativën të cilën e formoi pas daljes nga AAK-ja, po thotë se do të dalin në parët në komunë.
Madje shpreson se votat për të do të dyfishohen dhe komunën e Obiliqit do ta fitojë pa balotazh.
Kryetari aktual Xhafer Gashi thotë se qëndrimet e tij i bazon në punën që është bërë tash e sa vjet dhe projektet madhore që janë kryer duke i dhënë pamje ndryshe Obiliqit dhe fshatrave përreth.
“Unë besoj që do të dyfishohet duke e pa frymën e qytetarëve dhe punët e mëdha që janë duke ndodhur në komunën tonë, duke i falënderuar të gjithë zyrtarët komunal në këtë rast por duke i falënderuar edhe të gjithë ekipin që janë të përkushtuar, shpresoj që kjo do ta ketë një ngritje të mirë, kjo mbetet të shihet, ne do të jemi në zgjedhje, jemi të përgatitur për zgjedhje dhe tani për tani në strukturën tonë ka ardhje të reja dhe shpresoj se nuk do të ketë nevojë për balotazh”, tha ai në një intervistë për Front Online.
Xhafer Gashi: AAK-ja është dëmtuar me daljen time nga kjo parti
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, thotë se nuk e ka dëmtuar dalja nga AAK-ja, por me këtë është dëmtuar vetë partia me dorëheqjet masive që janë bërë.
“Unë mendoj që kjo e dyta sepse nga AAK-ja nuk kam dhënë dorëheqje vetëm unë, ne kemi qenë si strukturë e organizuar më herët diku rreth 410 vetë në total nga ata 405 janë pjesë e “Iniciativës Qytetare” dhe është fat i mirë se diku rreth 40 % e Kryesive që janë aktuale duke përfshirë edhe Forumin e të Rinjve janë në strukturat e reja. Unë mendoj se ky ka qenë fundi i ndarjes së rrugëtimit me subjektin politik të mëhershëm, ne veprojmë si Iniciativë, nuk ka qenë vetëm vendim i imi, por ka qenë vendim i ekipës që kemi bashkëvepruar dhe ne tash po mundohemi të organizohemi”, tha ai.

