Kthehet në shtëpi 14-vjeçarja e zhdukur në Gjilan

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Të shqetësuar për fatin e tyre, ata raportojnë rastet në Polici, me shpresën se do të marrin informacione për vendndodhjen e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjilan, kur një vajzë 14-vjeçare ishte larguar nga shtëpia të shtunën dhe nuk dihej asgjë për vendndodhjen e saj.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza është kthyer pas rreth 10 orësh në shtëpi pasi fillimisht ishte raportuar si e zhdukur.

Sinjali mëson se e mitura është intervistuar dje, me ç’rast ka dhënë deklaratën e saj dhe para hetuesve policorë ka bërë me dije ndër të tjera se arsyeja e largimit ishte një mosmarrëveshje me familjen e saj.

Pas ekzaminimeve të kryera nuk janë vërejtur shenja të dhunës apo keqtrajtimit dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë.

Lidhur me detajet e rastit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili kishte urdhëruar të nisin hetimet.