Ku gjendet fshati me 11 burra dhe vetëm me një grua?

Vërnakolla, fshat ky i komunës së Vitisë, zyrtarisht i ka 12 banorë, 5 prej tyre janë shqiptarë, ndërsa 7 të tjerë janë të deklaruar si të tjerë.

Çuditërisht, nga këta 12 banorë, vetëm një është femër.

Por, këto janë të dhëna zyrtare, sipas regjistrimit të fundit në Kosovë, ndërsa atje nuk jeton më askush.

Këtu dëgjohet vetëm shushurima e gjetheve të pemëve, kur fryn era dhe ndonjë e lehur qeni që vije nga fshatrat më tutje.

Në të vërtetë, Vërnakolla ka plot shtëpi, por nuk ka banorë.

Banorët kanë migruar dhe janë shpërngulur deri më një, vit pas viti.

Shtëpi të vjetra, të ndërtuara në shekullin e kaluar, por edhe shtëpi të reja, të ndërtuara së voni, tani kanë mbetur bosh.

Ka edhe shtëpi të lëna përgjysmë. Dikush duhet të jetë bërë pishman dhe nuk ka vazhduar më tutje.

Banorët i lanë shtëpitë, sikurse që lanë dhe kishën në qendër të fshatit dhe ikën gjetiu për jetë më të mirë.

Vizitorë të vetëm janë meshtarët që kujdesen për kishën, ndonjë bari nga fshatrat përreth, që shfrytëzon kullosat.

Një zonë si kjo, me kushte të mira për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë, bletarisë dhe mundësive tjera, është mëkat që ka ngelur shkret.

Shtëpitë pa njerëz brenda, ngjajë me varret./Mediafokus