‘Ku shkojnë kosovarët, pse n`Kosovë nuk rrinë’?

Vetëm sivjet, ende pa përfunduar viti, mbi 3 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Shtrohet pyetja: ‘ku shkojnë kosovarët, pse n`Kosovë nuk rrinë’?

Motivet për këtë veprim po konsiderohen të jenë të ndryshme si papunësia, ekonomia e ulët, qeverisja jo e mirë, varfëria e të tjera.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2020, janë liruar nga shtetësia e Kosovës 3159 persona”, thuhet në një përgjigje me shkrim për arbresh.info nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurse të njëjtën periudhë vitin e kaluar janar-nëntor 2019, kanë hequr dorë nga nënshtetësia 4885 persona.

E komuna që prin me më së shumti raste për heqjen dorë nga shtetësia është Prishtina, kurse Gjermania është shteti që ka numrin më të madh të kosovarëve që kërkojnë heqjen dorë nga nënshtetësia.

Ndërsa sociologu Shaip Hasani thotë se numri i madh i personave që heqin dorë nga nënshtetësia përpos që është shqetësues, është edhe alarmante.

Hasani për këtë e fajëson edhe qeverisjen jo të mirë dhe thotë se kjo është arsyeja pse po ndodh kjo dukuri.

”Populli është i pashpresë me këta njerëz që janë në krye të Qeverisë’.

Tutje ai bën krahasimin e kohës së tanishme më atë të viteve të 90-ta.

“As në vitet e 90 dhe as ne vitet e tjera kur Kosova ka pas sfida të ndryshme dhe kohë të vështira nuk ka pasur kaq shumë persona qe kanë dëshiruar heqjen dorë nga nënshtetësia, asnjëherë më parë nuk ka pas kësi gjendje alarmante për këtë çështje”, vlerëson Hasani.

Një ndër fajtorët kryesor sipas tij janë persona që punojnë në Qeveri, duke thënë se aty punojnë vetëm për interesa personale e tallen me qytetarët.

“Kosova nuk ka qeveri të mirë, të gjithë ata që janë aty punojnë vetëm për interesa personale, shikoni se çka po bëjnë në kuvend që sa kohë nuk e votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike e tallen me popullin si të dojnë”, shprehet Hasani.

Ai konsideron se substanca e kombit çdo ditë e më shume po shkon duke u shtypur pasi që Evropianët po tallen me ne, serbët gjithashtu e pastaj edhe vet ne me vetveten.

Gjithashtu Hasani tregon se nga disa statistika që ai posedon për rreth 7 vjet 60 mijë të rinjë kanë humbur nënshtetësinë.

“Unë i kam disa statistika për 6 deri ne 7 vjet rreth 60mije të rijnë e kanë humbur nënshtetësinë edhe mendojnë komplet me humb substancën dhe identifikimin e tyre kombëtar”.

E në fund të gjitha këto ai i përmbledh edhe me prezencën e madhe të varfërisë në vendin tonë, ekonomisë së dobët dhe pagat e ulta.

“Të gjitha këto probleme e këto procese përcjellëse janë si shkak i varfërisë në Kosovë, ekonomisë së dobët e pagat e ulëta”, deklaron Hasani.