Kufizimi i orarit të punës në temperatura të larta, vazhdojnë inspektimet nëpër komuna

Inspektorati i  Punës është duke vazhduar me inspektime në terren, ku po mbikëqyrë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e orarit të punës, shkaku i temperaturave të larta.

Përkundër vendimit të marrë para disa ditësh, disa subjekte nuk kanë respektuar kufizimin e orarit të punës, kësisoj inspektorët kanë ndaluar punën për disa punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë dhe po ashtu për gratë shtatzëna.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se edhe gjatë fundjavës kanë punuar me kujdestari.

“Edhe në vikend kemi punuar me kujdestari, pra kemi bërë inspektimin në terren, pra se sa po respektohet vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe tash që është e hënë, pra deri më 20 korrik, do të mbikëqyrim vendimin e MSH-së “,  tha ai.

Nikçi bëri të ditur se subjektet që nuk kanë respektuar vendimin do të gjobiten, dhe se inspektorët janë duke përgatitur dënimet.

Gjithashtu, ai theksoi se shkelje më së shumti janë vërejtur në sektorin e ndërtimtarisë.

“Në sektorin e ndërtimtarisë ka pasur më shumë shkelje, pasi edhe identifikimi është më i lehtë, sepse shihet edhe me sy se a po punohet a jo sepse është në hapësira të jashtme. Edhe për gra shtatzëna kemi marrë informata, pra janë identifikuar në bazë të ankesave”, pohoi ai.

Nikçi bëri të ditur se kanë ndaluar punën në disa lokacione në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Ndryshe, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë mori vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për disa kategori./Telegrafi