Kujdestari i Agonit: Ishte i shkëlqyeshëm, i urtë, i sjellshëm dhe tejet i edukuar
Kujdestari i Agon Musliut, profesori i matematikës, Festim Shkodra, është shprehur i pikëlluar me vdekjen tragjike të ish-nxënësit të tij.
“Unë isha për tri vite me rradhë kujdestar dhe profesor i tij, në Gjimnazin „Zenel Hajdini“ në Gjilan, ku ai vijoi shkollimin e mesëm të lartë. Ai ishte një nxënës i shkëlqyeshëm, i urtë, i sjellshëm dhe tejet i edukuar”, ka shkruar Shkodra, në reagimin e tij në Facebook, transmeton Mediafokus.info.
Statusi i plotë i prof. Festim Shkodrës:
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike, të ish nxënësit tonë shembullor Agon Musliu nga fshati Livoq i Epërm në Komunën e Gjilanit.
Unë isha për tri vite me rradhë kujdestar dhe profesor i tij, në Gjimnazin „Zenel Hajdini“ në Gjilan, ku ai vijoi shkollimin e mesëm të lartë. Ai ishte një nxënës i shkëlqyeshëm, i urtë, i sjellshëm dhe tejet i edukuar. Pos sukseseve të tij në shkollë, ai ishte edhe njëri prej lexuesve më të dalluar në bibliotekën e Qytetit „Fan Noli“ në Gjilan. Ishte shembull për së miri, për të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Të gjitha vetitë e tij pozitive, e bënë të dallohej jo vetëm në atë gjeneratë, por edhe për gjenerata të tjera me rradhë.
Agoni vazhdoi me studime në degën e Shkencave Kompjuterike në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Këto studime i kreu poashtu me sukses të lartë. Falë këtij përkushtimi dhe sukseseve të tij, ai sivjet filloi studimet për master në Shkencat Kompjuterike në Gjermani.
Por ndarja tragjike nga jeta i ndërpreu në mes gjithëçka këtij të riu. Agoni po lë një mungesë, pikëllim dhe dhimbje të pafundme në mesin tonë.
I shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes, shoqërisë dhe të gjithë atyre që po bashkëndjejnë me këtë dhimbje tonën të përbashkët.
Pushofsh në paqe Agon!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty!

