Kujtime lufte

Sabedin Sherifi

Një natë më herët, më 14 prill isha në familje dhe babai më tregoi për lëvizjen e madhe të trupave serbe në magjistralen Gjilan-Prishtinë dhe stacionimin e tyre në fshatin Parallovë.

Një lajm të tillë e kishin dëgjuar edhe në mediat e kohës.

Njësiti i UÇK-së i cili vepronte në lagjen tonë që ishte kryesisht me djem të lagjes  ishin në gatishmëri edhe pse armatimi mungonte shumë.

Aty deri sa errësohej në shtëpinë e Demir Sejdiut thërrasin në takim  informues pasi që ishte kohë kur dominonin dezinformata të ndryshme.

Komandanti Shaban Beqiri mbajti një fjalim të shkurtër mbi situatën dhe për gatishmërinë e ushtareve për t’u përballë me situatën.

Ai me këtë fjalim, ngriti moralin e të rinjve edhe pse ai nuk mungonte. Atë e mbante shpresa se armatimi është në rrugë dhe se së shpejti do armatosen të gjithë.

Shumica e pjesëtarëve të rinj kishin mbaruar trajnimet bazike për qitje me armë në shtëpinë e Sejdi Sejdiut.

Lagjja gjasonte në një kazermë ushtarake, çdo kush kontrollohej në hyrje të lagjes pasi që njerëz të njohur e panjohur kalonin nëpër fshat.

Shtëpia e Habib Aliut e cila ndodhej në anën perëndimore, ishte një objekt banimi. Pronari kishte kohë që jetonte në Gjermani. Aty ushtarët flinin dhe ushqeheshin.

Ndërrimi i rojave bëhej sipas një orari që më të moshuarit mbanin rojet afër mëngjesit për shkak se ata kishin përvojë me shërbimin ushtarak të mbaruar më herët dhe kishin frikë nga sulmet befasuese serbe.

Rruga që ndan Parallovën dhe Vërbicën / Lagjja Alibabë ishte vija ndarëse me kufirin armik. Aty kam dëgjuar natën se si serbët kishin kamufluar qenin me kambanë kafshësh gjatë patrullimit të tyre që bënin në anën tjetër të rrugës.

Pika jonë vëzhgonte një vijë të gjatë nga Hanet e Zhegocit e deri tek maja e Qukës.

Serbët vazhdimisht na vëzhgonin nga mali i afërt përballë nesh. Ata kryesisht ishin banorë lokalë të lagjes Sterbiç.

Sigurisht informacionet që kishin dhënë për ne kishin ndikuar që më datë 15 prill ushtria serbe të shfryjë mllefin e saj në lagjen tonë ku shumica e shtëpive u rrafshuan përtokë.

Mëngjesi i 15 prillit ’99 më gjeti në roje pasi që ishte natë kritike. Pikat e rojës ishin dyfishuar dhe mundësia e depërtimit të forcave serbe ishte evidente.

Në ora 3:00 të mëngjesit vjen babai për të më ndërruar. Isha në pikën afër shitores  së fshatit. Nata ishte e qetë, tek-tuk shihej ndonjë fluturim i forcave të NATO-s.

Unë mbajta roje pa qenë fare në ekipet e rojeve, por nevoja për përforcime më detyroi të bëjë këtë. Në fakt atë natë vija nga spitali në Zhegoc për të ndërruar rrobat e trupit.

Rreth orës 5:00 të mëngjesit të 15 prillit babai im Sherifi, së bashku me Qerim Beqirin japin alarmin se forcat serbe janë nisur në drejtim të Malësisë së Zhegocit.

Drejt lagjes sonë ishin nisur forca të motorizuara nga më të ndryshmet. Kolona ishte shumë e gjatë, automjetet e fundit ishin në lagjen Jakoqiq kurse të parat ishin në lagjen Sterbiç. Kjo lagjja e fundit ishte shumë afër nesh.

Në këtë rast duhet theksuar se lagjja jonë ishte stërmbushur me të ardhur nga vende të ndryshme, kishte edhe të atillë që kalonin natën e në mëngjes provonin të gjenin shtigje drejt Gjilanit.

Vështirësitë e banorëve për të siguruar ushqim ishin të mëdha. Gati çdo familje kishte furra buke dhe ato gatuanin disa herë në ditë, falë asaj që banorët kishin bagëti dhe ia dilnin që gjithë atyre të strehuarve t’u sigurojnë ushqim të nevojshëm.

Tërheqja e banorëve u bë shumë shpejt dhe ata vendosën në një grykë mali të quajtur Lugu i Mrizit. Komandanti vendosi që ushtarët t’i shpërndajë nëpër disa pika më të larta malore nga ku mund të vëzhgohej lëvizja e ushtrisë serbe.

Dëshmori i parë që bie tek ne, ishte Enver Pacolli me vendbanim në Hajvali. Ai vritet në vendin Kodra e Zabelit nga snajperët serbë që siç duket kishin depërtuar natën herët në ato pjesë.

Dy persona që ishin afër tij tregojnë për tmerrin e përjetuar gjatë tërheqjes nga ai pozicion. Axha Smajl Sherifi dhe Xhemajl Sejdiu ishin protagonistë të asaj ngjarjeje. Fatmirësisht këta dy shpëtojnë edhe pse plumbat ua kishin shqyer rrobat e trupit.

I ati im Sherifi bie pak minuta më vonë. Ai ishte në një pozicion tek Lugu i Mrizit prej nga vëzhgonin lëvizjen e serbëve në drejtim të qindra banorëve të strukur në atë luginë mali.

Babai i plagosur tenton të lëviz drejt banorëve, por fatkeqësisht nuk kishte njeri që mund ta ndihmonte pasi që njerëzit ishin larguar në panik drejt Zhegocit.

Ai zihet dhe ekzekutohet nga serbët. Nga autopsia që është bërë nga ML, pas luftës rezulton që qindra plumba janë shkrepur në trupin e tij.

Mali ishte mbushur me forca serbe nga më të ndryshme. Policë, ushtarë dhe civilë, të gjithë të armatosur deri në dhëmbë. Forcat tona të njësisë sonë ishin të armatosur lehtë dhe me fishekë të numëruar por krisma e tyre jehoi si rrufeja.

Mali i Bisakut u bë varr për shumë serbë që tentuan të kalojnë. Aty Komandant Shabani nxori hakun për ushtarët e rënë po atë ditë.

Unë më herët isha larguar drejt Spitalit në Zhegoc. Rrugës aty tek shkolla takoj një grup të rinjsh, ndoshta nga Terpeza ku vetëm njeri ishte i uniformuar. Pas përshëndetjes më treguan se janë vullnetarë për në UÇK. U thashë të presin deri sa të lajmëroj policinë ushtarake se çfarë do bëhet me ta.

Më vonë disa nga ta kam takuar duke kryer detyra në logjistikë në orët në vijim të ditës.

Krismat e armëve jehonin nga mali në mal. Ushtarët e rreshtuar mbanin kokën lart deri sa niseshin drejt përballjes me forcat armike.

Diku afër orës 9:00 apo 10:00, saktë nuk e di pasi që nuk kisha orë, kishim urdhër nga komandat Shaqa – Shemsi Syla për t’u evakuuar nga spitali i UÇK-së drejt maleve në një vend më të sigurt.

Me Bejtush Muratin dhe Elhame Sallahu mundoheshim të merrnim gjëra të nevojshme me vete për nevoja të pacientëve si material sanitar dhe barërat. Momentalisht nuk kishim pacientë të plagosur edhe pse luftimet kishin filluar që në mëngjes.

Nëpër oborre kishte lëvizje të shumta nga njerëz të ardhur si refugjatë, po ashtu edhe banorë të  fshatit. Të gjithë  synonin malet në drejtim të Plitkoviqit.

Frika dhe paniku tek gratë dhe fëmijët ishin në kulm, kurse disa ushtarakë këshillonin njerëzit të mos bëjnë panik.

Një tendë najloni ishte ngritur në një luginë mali aty në shpatet e bjeshkëve të larta. Në një pjesë të malit që ishte caktuar për logjistikë ishin shkarkuar sasi të mëdha mielli dhe gjëra tjera ushqimore. Me sistemimin e tyre merrej oficeri Nehat Ibrahimi dhe disa ushtarë.

Në pjesën ku ishte tenda prej najloni apo plastmasës kishim sistemuar disa të plagosur të mëhershëm që kishin ardhur nga Bresalci. Aty kishte pacientë të moshës nga tre muaj e deri në 70 vjeç.

Luftimet ishin në kulmin e tyre. Kishte shumë të shtëna dhe vazhdimisht  krismat shtoheshin. Forcat serbe kishin aktivizuar tanke dhe mjete tjera të blinduara. Lugina e fshatit Zhegoc gjasonte në një grykë vullkani e rrethuar me male të larta dhe teren shumë të thyer e me shpatije shumë të pjerrëta.

Aty ka dy rrugë që mund të shfrytëzohen për transport, ajo që shkon për Lipjan dhe tjetra për Gjilan, rrugët tjera janë rrugë mali dhe vështirë të kalueshme për mjete të lehta motorike.

Rreth orës 10 sapo erdhi i plagosur ushtari i njësisë speciale, Fadil Rashiti. Ai kishte një plagë shumë të rëndë, por fatmirësisht nuk kishte prekur arteriet apo venat. Mundohem në plagë të bëj një tamponadë me një fashë/ gazë duke e futur thellë në plagë. Ai kishte ecur këmbë me plagë rreth 6 kilometra. I thashë që mos të shqetësohet sepse plaga është e lehtë në mënyrë që mos të shqetësohet.

Kurrë s’kisha takuar një pacient të tillë që nuk lëshon asnjë ofshamë edhe pse kishte shumë dhembje. Aty i plagosur vjen dhe Besnik Shala një i ri të cilin plumbi e kishte kapur nga thembra dhe ia kishte qarë gjithë shputën e këmbës. Ishte vështirë të ndalet gjakderdhja sepse plumbi kishte prekur shume arterie.

Pas pak shokët sollën një ushtar tjetër i cili ishte mbuluar me gjak. Ishte ky Afrim Myrtaj. Ai kishte luftuar me serbët deri në plumbin e fundit dhe kishte marr hakun dhjetë fish për shokun e tij Pajazit Ahmetin dhe shumë të tjerë.

Afrimi kishte shumë plagë. Kurrë nuk kisha parë pacient me aq shumë plagë. Ai kishte plagë nga plumbat dum dum ku i kishin qarë muskujt.

Afrimi ishte shumë i fuqishëm dhe nuk dorëzohej edhe pse kishte shumë dhembje.

Aty tek të plagosurit vjen dhe babai i Fadil Rashitit për ta vizituar të birin dhe aty kam parë fuqinë e burrit se si i uroi plagët djali të tij të vetëm.

Axha Misin Ahmeti që ende nuk kishte kuptuar rënien e të birit Pajazitit thërriste me kushtrim ‘qëndroni djem heu dora u lumtë’. Edhe pse në moshë të shtyer mbante veten pa trembur syrin.

Mali, fusha dhe gjithë bjeshka digjej flakë. Krismat dhe detonimet u bënë rutinë.

Pasdite dikur takoj nënën dhe motrën që ishin me shumë të larguar. Aty kishte edhe shumë të strehuar nga anë të ndryshme të Kosovës.

Rrugë  e vetme ishte ajo rruga tatëpjetë për në Plitkoviq. Ajo rrugë mund të ndiqej vetëm këmbë pasi që nuk mund të kalonin asnjë mjet motorik. Ata vazhdojnë të lëvizin malit përpjetë  të lodhur e të uritur.

Vaji i fëmijëve të vegjël ende më tingëllon në memorien time. Ndoshta nuk do e harroj gjithë jetën.

Deri sa isha ulur të pushoja, afër meje ishin afruar pa vërejtur disa fëmijë dhe më shikonin sikur kërkonin shpëtim nga unë. Më i mërzitur kurrë në jetë nuk kam qenë. Ata fëmijë ishin nxënës të mi. Unë mbeta në qendër e ata rreth meje dhe pa fjalë më shikonin ashtu në heshtje.

U thosha  që mos të shqetësohen sepse do bëhet mirë por nga krismat e armëve ishte vështirë t’ua mbushja mendjen.

Një bashkëluftëtar, Selver Kqiku nga qyteti më tha se atje përballë nesh në lagjen e Bilinicëve ka pasur të  ekzekutuar nga afër. Ai më shpjegonte se krismat që dëgjohen në ekzekutime afër nuk dëgjohen larg por janë krisma të mbytura. Dhe vërtetë ashtu kishte ndodhur. Atje kishte pasur shumë të rënë në fushën e nderit.

Nata errej e krismat ishin më të pakta. Bartja e të plagosurve ishte një sfidë  në vete. Ata mund të barteshin vetëm me krah dhe barelë. Falë angazhimit të ushtarëve ia arritëm të bartim të gjithë drejt Plitkoviqit.

Njerëzit e tmerruar kishin lënë edhe familjarët e tyre pleq që ishin të pa lëvizshëm.

Në vendin e quajtur Plloqë afër Plitkoviqit transportin e të plagosurve  e bëri me kuaj Naser Kelmendi. Ai na solli dhe ujë për të pirë. Ah sa shumë etje kishim.

Në odën e tij vendosëm të plagosurit.  Shtëpitë tjera ishin të stërmbushura me civilë. Plaku i shtëpisë Murat Kelmendi mundohej të ndihmonte këdo që e takonte. Ishte shtëpi bujare dhe gjithë pasurinë kishte vu në shërbim të luftës për çlirim.

Në mëngjes të 16 prillit ora 4:00  filloi lëvizja drejt Gadimes. Të plagosurit me qerre kuajsh i bartte Islam Sopi, një ish banor i Plitkoviqit i cili njihte terrenin mirë. Afër Gadimës bëjmë lidhjen e plagëve të plagosurve me aq sa mundemi. Ndonjërit që kishte shumë dhembje i aplikonim ndonjë analgjetik.

Fati njerëzor thonë është i përcaktuar herët dhe atij nuk mund t’i ikën askush dhe këtë e besoj me bindje të plotë. Të gjithë të plagosurit arrijnë të kalojnë në Shqipëri me mjetet e banorëve të  Gadimës. Ata pas shërimit dhe çlirimit të vendit kthehen në Kosovë.

Shkrova pak rreshta për të kujtuar brezat që vijnë se malësia jonë ishte dhe do mbetet strehë e luftëtarëve të lirisë si dikur, sot dhe nesër!/Mediafokus.info