Kuksianët furnizohen me derivate të naftës në Kosovë
Një fluks i madh i veturave në kufi të Kosovës, që po shihet këto ditë, nuk ka të bëjë me qarkullim të rregullt ditor, por me ardhjen e shqiptarëve këndej kufirit për t`i mbushur veturat e tyre me derivate nafte.
Meqë çmimi i naftës në Shqipëri, këtë javë arriti nivel rekord, shumë qytetarë kuksianë furnizohen në Kosovë. Ata thonë se e kalojnë kufirin dhe i mbushin makinat me naftë në Prizren apo Gjakovë, pasi çmimet këtu janë më të lira se në Shqipëri.
Sipas qytetarëve, Kosova në të gjitha pikat e karburanteve mban çmime të njëjta. Për momentin, çmimi për litër nafte në Kosovë, është 1.5 euro, ose nën 200 lekë për litër, derisa në Shqipëri ka shkuar mbi 2 euro.

