‘Kulla e Gjinajve’, digjet një pjesë unike e resortit
Një pjesë e resortit hotelier ‘Kulla e Gjinajve’ në Novobërdë është përfshirë nga zjarri dhe ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, rastin e ka cilësuar ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Novobërdë, 09.08.2021-14:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga zjarri i është përfshirë restoranti i tij. Njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale, që dyshohet të jenë të konsiderueshme, nuk raportohet për lëndime në njerëz.
Ndërkohë, pronari Metush Zymberi ka njoftuar përmes një postimi se, sot me datë 09-08-2021 u kaplua nga zjarri një pjesë shumë e veçantë e resortit.
‘Unë si pronar ju falemnderoj shumë që e vizituat aq herë dhe i dhatë hijeshi këtij ambienti të mrekullueshëm. Shpresoj që me ju do ta rindertojmë dhe do t’i japim hijeshinë e dikurshme. Së shpejti do të rifillojmë, ka shkruar ai.
‘Kulla e Gjinajve’ është një kompleks unik në llojin e vetë, i cili është jetësuar sipas vizionit të bashkëshorteve Metush e Nadira Zymberi. /Mediafokus.info

