Kultivuan lëndë narkotike, kërkohet paraburgim për gjashtë persona
Gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë pasi u arrestuan për kultivim të lëndëve narkotike të llojit “marihuanë”, teksa dy ditë më parë Policia e Kosovës konfiskoi 32 kilogramë në fshatin Shirokë të Suharekës.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Me këto veprime, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Po ashtu, të pandehurit e lartëcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar.

