Kur do ta marrë detyrën e presidentes Vjosa Osmani?

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani shumë shpejt pritet ta marrë edhe detyrën e presidentes së vendit për të paktën disa muaj. Procedurat ligjore që duhet të ndiqen, e vendosin Osmanin në postin më të rëndësishëm duke e vënë në krye të dy prej tri institucioneve më të rëndësishme të vendit.

Zyrtarë nga kabineti i Osmanit kanë thënë për Gazetën Express se do të njoftojnë për procedurat ligjore lidhur me këtë çështje.

“Procedurat ligjore vijojnë. Ju njoftojmë”, ka thënë shkurtimisht Bekim Kupina, këshilltar i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

E procedurat ligjore pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, para disa ditësh i kishte treguar Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ai kishte thënë se në rast se ndodh një skenar i tillë, atëherë iniciohen menjëherë procedurat për kalimin e kompetencave te kryetarja e Kuvendit. Në këtë rast, kryeparlamentarja Vjosa Osmani do të bëhej ushtruese e detyrës së presidentit të shtetit.

“Në rast të dorëheqjes eventuale të Presidentit Thaçi, atëherë menjëherë iniciohen procedurat për kalimin e kompetencave tek Kryetarja e Kuvendit, e cila bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit”, ka thënë Cakolli, i cili ka shpjeguar se kryeparlamentarja e ushtron këtë detyrë deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së presidentit.

Ky afat kohor, mund të zgjasë deri në gjysmë viti, e nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.