Kur Donika Gërvalla e quante të papërgjegjshëm Ibrahim Rugovën

Donika Gërvalla Schwarz ka marrë gjithë vëmendjen e publikut për vete pas shpërfaqjes së disa deklaratave mjaft të rënda ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

Por, një intervistë tjetër në mediat gjermane duket edhe më problematike për ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës.

I pyetur nga gazetari Hans-Joachim Wiese më 2005 nëse është fajtor z. Haradinaj për krimet për të cilat akuzohej në atë kohë nga Tribunali i Hagës, e për të cilat ishte shpallur i pafajshëm.

“Pyetja nëse Haradinaj është fajtor ose jo i përket gjykatësve për ta vendosur. Unë nuk mund ta gjykoj për këtë gjë. Por, ajo që është e rëndësishme për mua është që Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve të Kosovës.” – thotë ajo.

Kur pyetet “pse?” nga gazetari gjerman, Gërvalla thotë si vijon: “E njoh situatën në rajon shumë mirë, unë vij bash nga ai rajon, psh, nga rajoni i z. Haradinaj. Shumë njerëz më kanë thënë mua mendimin dhe përvojën që kanë për të dhe njerëzit e tij.”

Wiese e pyet Gërvallën se pse e sheh në atë formë z. Haradinaj, pas së cilës ajo përmend pretendimet e Hagës për zhvatje të parave, intimidim të dëshmitarëve duke thënë që “ka një strukturë konstante të sjelljes së z. Haradinaj dhe njerëzve të tij” që sipas saj paraqiste rrezik, raporton Periskopi.

Wiese: Por, ai ishte dhe ende mbështetet nga Perëndimi, apo edhe kjo është gabim, e ndoshta klishe?

Gërvalla: Nuk është gabim. Mendoj që është e papërgjegjshme nga ane e BE-së, qeverisë gjermane dhe komunitetit ndërkombëtare t’i japin këtij lloji të politikanit një reputacion të lartë. Po iu jap një shembull, kreu i UNMIK-ut, z. Soren Jessen Petersen e ka diskualifikuar krejtësisht veten duke e quajtur këtë person, që tash dyshohet si kriminel lufte, shok të tijin. Çka do të thoshte dikush në Gjermani nëse e njëjta gjë ndodhte këtu disa dekada më herët? Çka nëse një ndërkombëtar do ta cilësonte një të dyshuar për krime lufte si mikun e tij?

Më pas, znj. Gërvalla pyetet edhe pse ka bërë koalicion partia e saj [LDK] me partinë e z. Haradinaj, duke e bërë edhe kryeministër të vendit.

“As nëntë për qind e kosovarëve nuk e kanë votuar Haradinajn, sepse shumë njerëz e përshkruajnë atë si një kriminel ordiner e primitiv që punon me presion e dhunë…. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e vuri në këtë pozitë për t’u rizgjedhur president. E shoh këtë sjellje shumë të keqe e të papërgjegjshme.” – thotë ajo, duke e sulmuar kësisoj edhe vetë presidentin Ibrahim Rugova.

Kur gazetari i thotë se a flet mirë për Haradinajn fakti që ai dorëzoi veten në Hagë, ajo thotë që “nuk kishte alternativë tjetër” për të.

Në këtë intervistë, Gërvalla e quan “personalitet shumë impresiv” kryetarin e atëhershëm të Parlamentit, z. Nexhat Dacin.

“Nacionalistët dhe figurat si Haradinaj dhe Thaçi që e kanë dëshmuar se janë të dhunshëm, nuk janë e ardhmja por një hap në të kaluarën.” – shton më tej Gërvalla në këtë intervistë.