Kur një ditë të renditen arkivolet…
Enver Robelli
Rreziku nga koronavirusi është aq i madh, saqë pas pak ditësh apo javësh mund të shohim, për fat të keq, të vdekurit e parë, siç po ndodh tashmë në vendet fqinje.
Kur të bien përtokë lisat sepse duhen për dërrasa të varreve të reja dhe kur të numërojmë me trishtim arkivolet, ka gjasa që edhe atëherë do të vazhdojë debati i çmendur i politikanëve: “Jo ti i pate fajet, jo ti, jo, jo, jo, ti i pate se shkaktove panik me një deklaratë, pastaj unë për me zbut panikun shkaktova një panik edhe më të madh”.
Nuk keni faj ju, nuk keni. Aventurierë politikë, që edhe në çastet e një rreziku të madh për qindra e ndoshta mijëra njerëz të këtij vendi të vjedhur dhe ligështuar, ju talleni, pa asnjë dallim dhe pa mëshirë.
Por dikur njerëzit e humbin durimin. Zemërimi me këtë klasë politike dhe paniku nga pandemia janë një miks shpërthyes që mund ta fundosin Kosovën.
Por edhe atëherë debati do të vazhdojë: “Jo ti shkaktove panik, jo ti i pate fajet”.
Ju, qytetare e qytetarë të Kosovës, që jeni të shqetësuar nga rreziku i koronavirusit dhe për të ardhmen e vendit – ndihmoni vetes dhe shoqërisë më shumë se kurrë: RRINI NË SHTËPI!
Jashtë shtëpisë politikanët nuk e kanë problem të shembin qeveri, të shembin shtetin dhe të llomotisin për zgjedhje të reja, inate të vjetra dhe primitivizma të përhershme!

