Kur presidenti Rugova tha: “Vetëm Gjilani di të bëjë këso mrekullie”
Më 11 nëntor të vitit 2001, presidenti Rugova, gjatë vizitës në Gjilan, ku mori pjesë në një tubim përmbyllës të zgjedhjeve nacionale, i cili ishte mbajtur në stadiumin e qytetit, ishte shprehur i mahnitur me pritjen.
Rugova, pasi është falënderuar për pritjen, nuk ka mundur t`i rezistojë ftesës për të hyrë në valle gjilanasit, shkruan portali mediafokus.info.
Lutfi Haziri, kryetar i komunës, pasi i uroi mirëseardhje liderit më të madh politik në Kosovë, tha se pushteti lokal në Gjilan, për një vit e më tepër, që kur mori votën tuaj, arriti t`i realizojë shumicën e premtimeve të dhëna.
“Ne do të vazhdojmë të ecim përpara dhe në këtë rrugë do të jemi edhe më të fuqishëm pas zgjedhjeve të 17 nëntorit”, tha Haziri.
Ibrahim Rugova fillimisht i falënderoi qytetarët e Gjilanit për pritjen madhështore që kishin bërë.
“Këso mrekullie di të bëjë vetëm Gjilani”, tha Rugova.
Pa dashur të fliste shumë në një ambient të tillë, Rugova tha se nuk kemi nevojë për shumë fjalë, kur jemi bashkë me trup e me zemra.
Duke u ndalë të progresi i arritur në Kosovë, ai tha se së bashku me KFOR-in, UNMIKK-un, OSBE-në dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë arritëm shumë për këtë periudhë të shkurtër.
Ndërkaq, si pika kyçe të angazhimit në të ardhmen, Rugova veçoi ekonominë, stabilitetin politik dhe sigurinë.
Ne duhet ta zhvillojmë ekonominë dhe të krijojmë kushte për punësimin e të rinjve tanë, që ata të kenë mundësi të krijojnë familje dhe të vazhdojnë historinë e lavdishme të Kosovës.
Çështje mbi të gjitha do të jetë angazhimi për njohjen edhe formale të pavarësisë së Kosovës, sepse, de fakto, ne jemi të lirë dhe të pavarur, tha Rugova.
Njohja edhe formale e kësaj pavarësie, që presim ta bëjnë miqtë tanë, është çështje fundamentale për popullin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit./Mediafokus

