Kurti, dorëlirë me fëmijët, dorështrënguar me pensionistët

Rritja e mirëqenies nga çasti kur një fëmijë vjen në këtë botë e deri në pleqërinë e vonë, është një nga çështjet që më së shumti i preokupon qytetarët.

Për këtë, partitë e qendrës së majtë, si në rastin e Kosovës, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), rritjen e mirëqenies e vënë në top-premtimet qeverisëse.

Në krye me Albin Kurtin, dikur aktivist i zëshëm kundër “shtypjes sociale”, LVV-ja erdhi në pushtet me zotimet se do t’i afrohen derës së qytetarit si asnjëherë më parë dhe do ta “përmbysin varfërinë e skajshme”.

Në fund të mandatit katërvjeçar e në ardhje të zgjedhjeve të reja, vlerësohet se ky pushtet do të mbahet mend për sukses me shtesat për fëmijë dhe për dështim me skemat pensionale.

Veçanërisht, premtimi i Qeverisë, i cili ishte listuar si prioritet i dytë, ishte që vizioni për mirëqenien sociale do të arrihet “nëpërmjet mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë dhe rritjes së aktivitetit në tregun e punës”.

Pavarësisht nismave të reja në mbrojtjen sociale, një hulumtues i politikave sociale vlerëson se me notë nuk kalon më lartë së shtatëshja e fakultetit.

Ndërsa një tjetër thotë se sa kanë mjaftuar këto nisma dhe se sa ka qenë efekti i tyre, lë për të dëshiruar dhe lë hapësirë për debat.

Edhe pse kohë pas kohe u dhanë nga 100 euro shtesë për pensionistët, çështja e skemave pensionale në thelb mbetet një nga çështjet e zvarritura ndër vite pa një zgjidhje afatgjatë, sidomos për kontribut-paguesit.

Shtesa shtesë

Arritja më e madhe e qeverisë së tanishme besohet të jenë shtesat për fëmijë, gjë që edhe vetë partia në pushtet e cilëson si një veprim progresiv që nuk është bërë gjatë pushtetit 20 vjeçar të partive tjera.

Hiç më larg se para dy muajve ishin bërë ndryshime në skemat për shtesat mujore për fëmijët, skemë e cila ishte krijuar në fillim të mandatit në të Qeverisë Kurti II, më saktësisht në vitin 2021.

Nga 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2 vjeçare, ndërsa nga 10 euro në muaj për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, në vitin 2024 me skemën e re, shtesat u dyfishuan, ndërsa në rastet kur nëna ka tre fëmijë ose më shumë, shtesat u trefishuan. Këto shtesa shtesë do të merren që nga fundi i muajit gusht.

Nënat me një ose dy fëmijë do të marrin nga 20 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa nënat me tre fëmijë e më shumë, do të marrin nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë.

Për të gjitha gratë që lindin, por janë të papuna, qeveria paguan për 6 muaj rresht shumën prej 170 euro.

“Për më se 20 vite asnjë qeveri nuk e kishte marrë mundin të bënte diçka për nënat dhe fëmijët. U deshtë që të vinte një qeveri si kjo e jona, progresiste, demokratike e që ka në qendër mirëqenien e secilit qytetar, e më në fund edhe nënat dhe fëmijët të ndjejnë dorën e mirë të shtetit” – kishte thënë kryeministri Kurti gjatë prezantimit të skemës së re në korrik 2024.

Se kjo është arritja më e madhe e Qeverisë Kurti II vlerëson edhe hulumtuesi i politikave sociale, Artan Mustafa, i cili thotë se asnjë shtet tjetër në rajon nuk ka një program të këtillë “kaq të madh për mbrojtjen e fëmijëve dhe kaq universal”.

“Me shtesën e njëhershme ekstra 100 euro mbi ato bazë, gjatë vitit 2023 ky program ka ofruar shtesa më të mëdha relativisht me të ardhurat në vend sesa programi i ngjashëm në Suedi (historikisht shteti model i socialdemokracisë)”- tha Mustafa për KALLXO.com.

Ndërkaq si arritje të dytë, Mustafa e sheh lansimin e pagesave të pushimit të maternitetit për gratë e papunësuara që lindin fëmijë.

“Edhe ky është program universal, që përkon me zgjerimin e kësaj të drejte, si e drejtë e nënshtetësisë në shumë vende europiane”- thotë Mustafa.

Në programin qeverisës shkruante se do të ndryshojnë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, shteti do të paguajë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë, e që sipas Kurtit, mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat e lehonisë.

Shefi i ekzekutivit, Kurti në korrik 2024 ishte mburrur me gjërat që janë bërë në fushën e politikave sociale, me theks të veçantë punësimin e grave.

Gjatë këtij mandati është shënuar një numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, kishte thënë ai, duke shtuar se e kanë katërfishuar- nga 10 në 45 për qind, praninë e grave në bordet e drejtorëve.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se kanë mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk u tha në Raportin e BE-së për Mbrojtje Sociale në Kosovë, i publikuar në qershor 2024, në të cilin shkruan se Kosova mbetet një nga rajonet më të varfra të Europës, me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë, veçanërisht në mesin e grave dhe komuniteteve të margjinalizuara.

Pa zgjidhje afatgjatë për pensionet

Pensionet vazhdojnë të jenë nga 100 euro ai i pleqërisë deri në 265 euro pensioni kontribut-pagues.

Ky është një nga problemet e trashëguara ndër vite për të cilën nuk është gjetur një zgjidhje- nëse jo përfundimtare, të paktën afatgjatë.

Edhe pse rritja e fundit është bërë në vitin 2021, vlera e parasë ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve në shkallë globale, që ka ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, ushqimit, e ilaçeve — nevojave bazë të të moshuarve.

Edhe pse 25 euro në vitin 2002, pensioni bazë ka lëvizur ndër vite në 50, 70, 95 e deri te 100, megjithatë, rreth 70,000 pensionistë kanë mbetur me 100 euro pension për shkak se nuk i kanë pasur apo nuk kanë mund t’i dëshmojnë vitet e nevojshme të përvojës së punës para vitit 1999 për ta marrë pensionin kontributpagues, i cili është prej 182 deri në 265 euro.

Jon Krasniqi, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), thotë se dështimi më i madh mbetet skema e pensioneve, e cila nuk është reformuar apo financuar në mënyrë adekuate.

“Kjo çështje e vazhdueshme ka lënë shumë qytetarë të moshuar pa mbështetje të mjaftueshme financiare, duke reflektuar sfida më të gjera në sistemin e mbrojtjes sociale”- thekson Krasniqi.

Ai thotë se paaftësia për të realizuar një sistem të fuqishëm pensionesh nënvizon paqëndrueshmërinë financiare dhe zbatimin e dobët Qeveria për mbrojtjen sociale.

Pos rritjes së pensionit bazik në 100 euro, i vetmi ndryshim ndodhi më 6 korrik 2023 kur Qeveria e Kosovës bëri ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale.

Në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Skema Pensionale, qytetarët që kishin mbushur 65 vjeç dhe mund të dëshmonin se i kanë 15 vite të plota përvojë pune deri para vitit 1999, mund ta merrnin pensionin kontributpagues prej 180 deri në 265 euro, në bazë të kualifikimit shkollor.

Ata që kishin 14 vjet e 364 ditë përvojë pune nuk kualifikoheshin për këtë pension dhe merrnin vetëm atë bazë prej 100 euro.

Ndryshimi i Ligjit më 6 korrik ua mundësoi pensionin kontribut-pagues edhe ish-punëtorëve që u larguan nga puna në mënyrë të dhunshme në vitet e ‘90-a dhe nuk i kishin mbushur 15 vjet përvojë pune për këtë shkak.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se neni që e lejonte këtë, diskriminonte rreth 74,000 pensionistë.