Kurti i përgjigjet Abdixhikut që tha se kjo Qeveri po i duket si ‘Pronto 2’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kritikën e tij për Qeverinë Kurti 2.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka komentuar qeverisjen Kurti II, duke thënë se mjaftuan vetëm 100 ditë për t’i parë se nuk dallojnë nga të tjerët.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se për 100 ditët e qeverisë, Zajednica u bë Asociacion, e Bashkimi Kombëtar i pamundshëm.

Ai qeverisjen e Kurtit e ka cilësuar si ‘Pronto 2 në reprizë’.

Kurti i është përgjigjur kësaj deklarate duke thënë se ka marrë më shumë vendime se të gjitha qeveritë e kaluara.

“Shpresoj që nuk ka pasur për qëllim të arsyetoj Pronto 1 me këtë deklaratë me të cilën kanë qenë së bashku në qeverisje në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. 144 vendime, kaq shumë punë për 100 ditë nuk është bërë asnjëherë, madje as gjatë Qeverisë Kurti 1. Andaj nuk mund t’i përgjigjesha një deklarimi, apo kontributi të tillë me një fjali të thjeshtë dëftore ofenduese”, tha Kurti në RTK.