Kurti ndan 2 milionë euro për Luginën e Preshevës
Kryeministri Kurti ka ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Lajmi i ka gëzuar udhëheqësit politikë e institucionalë atje, të cilët kanë shumë halle për të zgjidhur, po pak para nga Republika e Serbisë.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka falënderuar Kosovën me zemër.
“Lajm shumë i mirë njoftimi i sotëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, për buxhetimin prej 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, në Projektligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Kjo ishte kërkesë e kahmotshme e përfaqësuesve institucional dhe politik të Luginës së Preshevës.
Përtej aspektit financiar, kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Republikës së Kosovës. Një praktikë tejet e rëndësishme në vijimësinë e bashkëveprimit institucional dhe të qasjes shtetërore të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës”, ka thënë Ardita Sinani.

