Kurti: Nuk e pranojmë kushtëzimin me Asociacionin për anëtarësim në Këshill të Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Ai ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka shtuar se refuzimi nuk është pranim, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës sepse beson dhe përqafon vlerat themelore që kjo organizatë mbron dhe promovon.

Kurti tha se pengesat për anëtarësim i mendonin nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e assesi nga shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës, si Gjermania e Franca.