Kurti nuk shkon në takimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë

Sot në Tiranë mbahet takimi joformal i udhëheqësve të Ballkanit, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Mirëpo as ky takim nuk pritet t’i bëjë bashkë kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca.

Raportohet se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.