Kurti: Për shqiptarët feja nuk ka qenë asnjëherë e rëndësisë së parë
Në një artikull të publikuar në prestigjiozen amerikane “The New York Times”, ku trajtohet fenomeni i konvertimit të fesë – e aktualizuar kohëve të fundit në Kosovë – kryesisht nga feja Islame në atë Krishtere, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë shkurtimisht se për shqiptarët, për sa i përket identitetit, “feja nuk ka qenë asnjëherë e rëndësisë së parë”.
“Për ne, fetë erdhën dhe shkuan, por ne jemi ende këtu”, ka thënë ai për New York Times.
Artikulli vazhdon duke potencuar se të konvertuarit katolikë, po shpresojnë që ta ringjallin një të kaluar para-islamike që ata e shohin si një çelës për identitetin e tyre evropian.
“Një numër i vogël i aktivistëve të krishterë shqiptarë, të gjithë të konvertuar nga Islami, po u bëjnë thirrje të afërmve të tyre që ta shohin kishën si shprehje të identitetit të tyre”, shkruan NYT.
Në artikull potencohet fakti se në shumë vende myslimane, heqja dorë nga Islami mund të ketë konsekuenca të rënda, gjë që në Kosovë nuk po ndodh, sipas NYT.
“Deri më tani, ceremonitë e pagëzimit që po zhvillohen në Kosovë nuk kanë shkaktuar kundërshtime të dhunshme, megjithëse ka pasur disa denoncime të zemëruara në internet”, vazhdon artikulli.
Sipas NYT numri i të konvertuarve nga feja Islame në atë Krishtere në Kosovë nuk është ende e qartë.

