Kurti shpërfill urdhrin e Gjykatës, shkon në Gjilan për të vënë gurthemelin e një çerdheje
Kryeministri Albin Kurti ka hedhur gurthemelin e një çerdhe në Gjilan, ndërkohë që do të duhej të ishte në Prokurorinë Speciale, sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të dhënë dëshmi për rastin e rezervave shtetërore.
Bashkë me të, në Gjilan, ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se gjykata ka obliguar kryeministrin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Zyra e Kurtit para pak ditësh i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes një letre ku i kishte kërkuar asaj që ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.
Kurti tha se kërkesa e tij për t’u intervistuar në zyrën e tij bazohet edhe në raste të mëhershme, por nuk ka përmendur ndonjë rast se kur ka ndodhur kjo.
Ai refuzon të shkojë në Prokurori me arsyetimin që kryeministri i Kosovës të mos bëhet lajm botëror e që të krijohet përshtypja se po dyshohet për një rast korrupsioni.

