Kurti s’paraqitet për intervistim në Prokurorinë Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se janë njoftuar nga kabineti qeveritar se kryeministri Kurti është jashtë Kosovës dhe e ka të pamundur t’i përgjigjet sot thirrjes.

“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për një rast penal, që kjo Prokurori e ka në hetim. Sot, nga kabineti i Qeverisë së Kurtit, Prokuroria Speciale është informuar se Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, tha Kozmaqi.