Kurti takon kongresistët amerikanë: Kosova, partner i besueshëm i ShBA-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti priti sot një delegacion të Kongresit amerikan të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes.

Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së”, përfshirë akademitë prestigjioze ushtarake si West Point dhe U.S. Army War College.

Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së ShBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë”.

Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përfshirë armatimin modern.