Kush e kujton kohën kur Radio-Prishtina dëgjohej tinëz në Shqipëri?

Shqiptarët e ndarë me kufi e kishin të ndaluar të komunikojnë me njëri-tjetrin, madje as t`i dëgjonin radiostacionet e Tiranës, përkatësisht të Prishtinës, nuk e kishin të lejuar.

Edhe pse e kishin të ndaluar, disa prej tyre e bënin këtë tinëz, në të dyja anët e Shqipërisë etnike.

Qytetarja Arta Anna Berisha ka postuar një radio të kohës së komunizmit dhe poshtë saj ka shtuar edhe një shënim mjaft prekës për kohën kur ishte kooperativiste.

Ky është postimi i saj i plotë:

Kjo ishte radioja që na shoqëronte dikur ne rininë kooperativiste, në ndonjë orë pushimi në kohën e lirë.

Merrte Radio Tiranën dhe Radio Kukësin, por në fshehtësi dëgjonim Radio Prishtinën e “Pozdravin”.

Sa “lezet” kishte: bukë misri e rreshkur si fytyra jonë, domate, djathë, ndonjë vezë pule nga pulat e mbajtura tinëz në “oborrin kooperativist” dhe pastaj muzikë, fshehurazi dhe sigurisht ndonjëri prej nesh do të bënte rolin e “rojës”, sepse sigurimi ishte aty dhe mund të të bënte gjëmën, shkruan ajo./Mediafokus/